Mrekullitë e Pejgamberit a.s.

Uji filloi të gurgullojë…

Ndërsa ndodhej në Zerva së bashku me shokët, i Dërguari i Allahut kërkoi një enë ku të kishte ujë. Ai futi dorën në enë dhe veç kur nga gishtat e tij filloi të rrjedhë ujë. Të gjithë shokët morën abdest.

Rrëfyesi i kësaj ndodhie e kishte pyetur Enes b. Malikun: “Sa vetë ishin, o Ebu Hamza?”. “Rreth treqind vetë!” – I ishte përgjigjur ai.

Edhe në Hudejbije ndodhi që shokët t’i ankoheshin të Dërguarit të Allahut për mungesë uji. Ai nxjori atëherë një shigjetë dhe ua dha shokëve duke u thënë që ta ngulnin në burimin Themed. Uji i burimit filloi menjëherë të gurgullojë dhe ashtu vazhdoi gjersa të gjithë shokët pinë, u ngopën dhe u kthyen.

Shërimi i të sëmurëve e plagosurve

Te i Dërguari i Allahut erdhi një burrë i verbër dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a po lutesh për mua të më hapen sytë?”. I Dërguari i Allahut i tha:

“Po deshe, le ta shtyjmë këtë lutje sepse kjo do të ishte më e dobishme për ty në jetën tjetër, por, po deshe, e bëjmë!”

I verbëri i tha: “Lutiu Allahut, o i Dërguari i Allahut!”

Dhe i Dërguari i Allahut mori abdest mirë e mirë, fali dy reqate namaz dhe ia mësoi të verbërit lutjen që duhej të bënte gjersa t’i shëroheshin sytë. Ai veproi siç u porosit dhe u shërua

Ndarja e hënës në dy pjesë

Abdullah b. Mesud tregon:

Një herë, ndërsa ndodhesha me të Dërguarin e Allahut në Mina, papritmas hëna u nda në dy pjesë: njëra pjesë në këtë anë të malit, tjetra, në anën tjetër. Para kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut na tha:

“Jini dëshmitarë!

Dëshmimi i pemëve

Xhabir b. Abdullah tregon:

Po ecnim së bashku me të Dërguarin e Allahut. Më në fund, zbritëm në një luginë të gjerë. Ai u largua për të kryer nevojën, kurse unë e ndoqa nga larg me një enë me ujë. Diku, i dërguari i Allahut u ndal, pa përreth por nuk i zuri syri ndonjë gjë për t’u fshehur. Pastaj, në skaj të luginës i zunë sytë dy pemë. I Dërguari i Allahut u nis menjëherë drejt tyre, u afrua te njëra pemë, zuri me dorë një degë të saj dhe u lut:

“Me lejen e Allahut, përkulu para meje!”. Dhe dega u përkul para tij si deveja që i nënshtrohet të zot dhe e zuri krejt pamjen në atë anë. Pastaj i Dërguari i Allahut shkoi te pema tjetër, zuri një degë dhe u lut:

“Me leje të Allahut, përkulu para meje!”. Dhe dega u përkul para tij duke ia zënë edhe atë anë. Pastaj, mes dy pemëve, i Dërguari i Allahut u lut:

“Me lejen e Allahut, më mbuloni nga sipër!”. Dhe degët e pemëve e mbuluan të Dërguarin e Allahut edhe nga sipër.

Pranimi i lutjeve të Profetit

Enes b. Malik tregon:

Ditën e xhuma, ndërsa i Dërguari i Allahut po mbante hutben, erdhi një burrë dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, s’po bie shi fare. Lutiu Allahut të na lëshojë shi!”

I Dërguari i Allahut e bëri lutjen menjëherë dhe ja ku filloi të bjerë shi që u bë aq i dendur, sa nuk do të arrinim dot nëpër shtëpi. Dhe gjer në xhumanë tjetër mbi ne vazhdoi të bjerë pa pushim mëshirë!

Xhumanë tjetër, ai apo dikush tjetër u ngrit e tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutiu Allahut ta largojë këtë shi prej nesh!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im lëshoje shiun rreth nesh, jo mbi ne!”

Dhe unë ju betohem se e kam parë se si u copëtuan retë e u shpërndanë andej-këtej dhe, ndërsa në të gjithë zonën sa të hante syri, binte shi, kurse mbi Medine, jo![19]

Abdullah ibn Omer tregon:

I Dërguari i Allahut lut kështu:

“Allahu im! Bekoje Islamin me më të dashurin për Ty nga këta dy vetë (nga Ebu Xhehli ose Omer b. Hattabi)!”

Të nesërmen në mëngjes, Omer b. Hattabi doli para të Dërguarit të Allahut dhe u bë musliman!

Abdullah b. Abbasi tregon:

I Dërguari i Allahut kishte hyrë për të kryer nevojën. Unë vura jashtë ujë që të merrte abdest. Kur doli jashtë dhe pa ujin, pyeti:

“Kush e vuri këtë ujë?”

“Unë e vura!” – Iu përgjigja unë. Atëherë ai u lut:

“Allahu im, bëje atë dijetar në fe!”

Ne të gjithë e dimë se kjo lutje e të Dërguarit të Allahut u pranua. Ibni Abbasi qysh i ri pati zënë vendin e tij në kuvendin e dijetarëve të Hz. Omerit dhe është bërë i njohur me titujt “Habrul Umme” (I dituri i ummetit) dhe “Terxhumanul Kur’an” (Interpretuesi i Kur’anit).[21]

Kurse në Musned, lutja e Profetit është kështu:

“Allahu im, bëje atë ta njohë frymën e fesë dhe mësoja interpretimin!”[22]

Enes b. Malik tregon:

Nëna më solli te i Dërguari i Allahut dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ky është im bir, Enesi i vogël! Ta solla ty që të të shërbejë. Lutiu Allahut për të!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut kështu:

“Allahu im! Bëje këtë fëmijë me pasuri dhe fëmijë dhe shumoja pasurinë dhe fëmijët!”

Dhe unë po ju them se, vallahi, kam shumë pasuri, kurse rreth njëqind fëmijë e nipër![23]

Enes b. Malik tregon:

Një ditë, i Dërguari i Allahut erdhi për vizitë te Ummu Haram. Tezja e gostiti me të ngrëna. Pasi hëngri, i Dërguari i Allahut u shtri pak për të fjetur. Ai u zgjua duke qeshur. Ummu Haram e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, ç’të bëri të qeshësh?”

Ai tha:

“Pashë në ëndërr ca njerëz të hipur dhe shtruar mbi ca gjemi që vozitnin në det të gjerë si sundimtarë të shtruar mbi fron dhe po shkonin për të luftuar në rrugë të Allahut. Kjo më kënaqi dhe më bëri të qeshja!”

Atëherë, Ummu Haram i tha:

“O i Dërguari i Allahut, lutu për mua që edhe unë të jem mes atyre fitimtarëve të asaj ekspedite detare!”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut për Ummu Haramin.

Me të vërtetë, në kohën kur Muavije b. Ebu Sufjan ishte guvernator i Sirisë, Ummu Haram hipi në një gjemi të ekspeditës së Qipros nën komandën e Muavijes. Pasi dolën në tokë dhe do të fillonin marshimin, Ummu Haram hipi në kalë por u rrëzua dhe vdiq si dëshmore e asaj fushate![24]