Agimi i pritur

Agimi i pritur

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë.

Emri i asaj periudhe është Injorancë.

Por jo një injorancë si antonim i dijes; ajo ishte një injorancë -sinonim i mohimit, herezisë dhe blasfemisë që janë antonime dhe antagonistë të besimit.

Vini re bujarinë, ndihmën dhe favorin e Allahut që u dërgon njerëzve për profet njërin nga mesi i tyre, nga origjina e tyre, i cili ndan me ta të njëjtat ndjenja e mendime, i cili është udhëzues e prijës i tyre në rrugën që shkon te e Vërteta, i cili mund të dalë në krye të tyre nëse është nevoja për imam, i cili mund të hipë në minber nëse është nevoja për hatib, i cili mund të vejë vulën e të presë monedha nëse është nevoja për një drejtues shteti, i cili mund t’i komandojë ata në mënyrën më të përkryer sesa komandantët ushtarakë më të shkëlqyer nëse është nevoja për t’i komanduar. Në kristianizëm ka një besim të gabuar. Kristianët bartin një besim të gabuar, sipas të cilit Zoti e sakrifikoi Hz.Isanë, birin e Vet (mos qoftë e thënë!), për të falur mëkatin e parë të njerëzimit. Hz. Isai u gozhdua në kryq dhe kështu u fal mëkati i parë i trashëguar nga njeriu i parë, Ademi, tek secili njeri tjetër që e ka sjellë me vete në mënyrë të bashkëlindur. Ky është i gabuar si besim dhe, sipas disa interpretimeve, në aspektet e dukshme të tij.

Lindja e Bekuar

Lindja e Bekuar

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë.

Shtatzënë me Shpëtimtarin e Fundit që po priste njerëzimi, Amina nuk i jetonte vështirësitë që jetonin kandidatet e tjera për nënë. Ajo po kalonte një shtatzëni të rrethuar nga të gjitha anët me flladin e ëmbël të mëshirës hyjnore. Mbi të gjitha si kurorë, kishte shumë sihariqe që i vinin të pëshpëritura në vesh. Ajo tregonte se një ditë dëgjoi:

-Padyshim, që ti je shtatzënë me Prijësin e njerëzimit. Kur ta sjellësh atë në jetë, thuaj se po e lë në mbrojtjen e Atij që është Një, dhe më pas vendosi emrin “Muhamed”.[1]

Amina u prek shumë nga e gjithë kjo. Po, ajo do të sillte në jetë një fëmijë që do të ishte jetim. Por, çfarë do të thoshte se fëmija i saj do të ishte prijësi i mbarë njerëzimit. Mbi të gjitha ajo nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin “Muhamed”. Sepse emri “Muhamed” nuk ishte ndonjë emër i njohur në atë kohë dhe atë vend. Ai ishte një emër të cilin e kishin vetëm tre vetë në të gjithë Arabinë. Dhe etërit e të treve ishin njerëz që kishin jetuar pranë mbretërve, dhe ishin të gjithë ndjekës të librave hyjnorë. Dhe secili prej tyre kishte vdekur në periudhën kur gratë e tyre ishin me barrë, dhe pa ndërruar jetë i kishin këshilluar gratë e tyre, se nëse lindnin djem, t’ia vinin emrin Muhamed. Sepse e dinin, që emri i Profetit të fundit që do të vinte në kohën e fundit do të ishte i atillë. Ata e kishin parë që ylli i Tij ishte në prag të lindjes.[2]

Amaneti që ajo mbartte në bark bëhej temë qendrore e ëndrrave të saj, andaj edhe nuk e ndiente shumë rëndesën e shtatzënisë që t’i lirohej sa vjen e më tepër. Një natë, Amina, do të shihte në ëndërr sikur prej trupit të saj dilte një nur, dhe me këtë nur do të dëshmonte se si ndriçoheshin sarajet e Basrës dhe të Sirisë.[3]

Data ishte 20 prill 571. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë ditë nga ndodhia e elefantit. Ndërsa kalendari hënor shënonte ditën e dymbëdhjetët të muajit Rebiuleuel. Ishte e hënë. Në këtë çast kur drita kishte kapluar gjithë rruzullin, po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë.

Ndërkaq, Mbreti i fundit, Muhamedi (s.a.s), sihariqi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Në botë erdhi jetimi i Aminës, megjithëse nuk i ngjante asnjë fëmije tjetër. Buzët i lëviznin dhe diç thoshte. Kur tregoi pak kujdes ndaj kësaj dukurie, ajo dëgjoi: “Allahu të mëshiroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht; Lindja dhe Perëndimi ishin kapluar nga drita, dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë.[4]

Menjëherë u lajmërua gjysh Abdulmutalibi, i cili në atë kohë ishte duke adhuruar Allahun në Qabe. Me ta marrë vesh, ai hyri menjëherë në shtëpi i mbështjellë nga emocione të papërshkrueshme. Në çastin që e mori në krahë Dritën që po priste njerëzimi, mjekra po i lagej nga lotët e gëzimit. Jetimi i Abdullahut, djalit, të cilin e donte më së tepërmi, kishte lindur shëndoshë e mirë, dhe me atë vështrimin e tij zhbirues zuri ta kundronte me kujdes. Shenja që dukej mes kockave të shpatullave tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Sepse, sipas përshkrimeve të dijetarëve të fesë, ajo ishte “vula e profetësisë”.

Kur i erdhi radha vendosjes së emrit, Amina e nderuar, i tregoi Abdulmutalibit gjithçka që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë, dhe kësisoj Atë e quajtën Muhamed. Më pas, Abdulmutalibi e shpuri Atë në krahë për në Qabe, që të falënderonte Allahun. Qabeja po takohej për herë të parë me binjakun e saj. Kur e pyetën Abdulmutalibin se përse i dha pikërish këtë emër nipit të tij, ai do t’i përgjigjej me këto fjalë:

-Në ëndërr pashë një si zinxhir të argjendtë; në mes kishte një shtyllë të nxjerrë, një pjesë për nëpër qiell, dhe tjetra e futur thellë në tokë, njëra tregonte drejtim kah perëndimi e tjetra nga lindja. Më vonë, kjo sikur u mblodh duke u bërë e vogël sa një grusht. Të gjithë, nga Lindja në Perëndim, sikur ishin drejtuar kah kjo pemë për t’u kapur pas saj.[5]

 

Lajme që vijnë nga të katër anët

Pa kaluar shumë kohë, filluan të vinin lajme nga të katër anët. S’ka dyshim që gjithësia po tregonte se ishte e interesuar në ardhjen e Tij, dhe me rrezatime të ndryshme, po e tërhiqte vëmendjen e gjithkujt kah kjo lindje.

Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe se si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të këtillë.

Zaten kishte kohë, që në qiell po përjetohej një gëzim dhenjerëzit dëshmonin pareshtur rënien e yjeve. Të gjitha këto quheshin si myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit, andaj dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Në mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një dijetar që i pyeste:

-O popull i Kurejshit! Mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?

Askush nuk kishte ende ndonjë lajm të tillë, andaj:

-Vallahi që nuk dimë gjë, – thanë ata.

Njeriu që pyeste fillimisht lëshoi tekbir, për t’i këshilluar më pas:

-Keni bërë një gabim; shkoni shihni dhe mos i harroni ato që do t’ju them: Mbrëmë, lindi Ahmedi, profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, sepse nëse nuk ka lindur këtu, atëherë ka lindur në Palestinë. Në mes të dy kockave të shpatullave, mbuluar nga qime të verdheme dhe të zezë, ai mbart një shenjë që është vula e profetësisë.

Mekasit ishin shushatur nga fjalët e këtij njeriu të ditur. Ashtu të habitur zunë të shihnin njëri-tjetrin, por prapëseprapë e dinin që nuk kishin dëgjuar gjë për një lindje të këtillë. Populli u nda si gjithmonë, dhe sakaq të gjithë u shpërndanë për në familjet e tyre. Pa kaluar shumë kohë, të gjithë po merrnin lajmin se mbrëmë, në shtëpinë e Abdulmutalibit kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vendosur emrin Muhamed. Ajo që ishte më e veçanta, ishte se ashtu siç kishte lajmëruar dijetari, në mes të shpatullave ai kishte një shenjë në trajtën e vulës.

Ata zunë të shkonin pranë dijetarit që i pati lajmëruar i pari, duke i thënë:

-Na the se në mesin tonë ka ardhur në jetë një fëmijë…

Pa mbaruar fjalinë, dijetari i pyeti i shqetësuar:

-A ka lindur përpara se t’ju thosha unë, apo më pas?

-Më parë.

Dijetari u emocionua jashtëzakonisht shumë dhe i kërkoi atyre që ta shpinin menjëherë atje ku ishte foshnja i sapolindur. Mirëpo, kur erdhi pranë Aminës, me të parë shenjën në mes të krahëve, atij i ra të fikët menjëherë. Kur erdhi në vete, tha:

-Turp t’ju vijë!

Kur e pyetën se ç’po i ndodhte, ai iu përgjigj:

-Tashmë, nderi i profetësisë nuk është më i hebrenjve. Kështu është e shkruar. Tashmë begatia profetike u takon arabëve. Gëzohuni, o njerëz të Kurejshit! Sepse ai, bashkë me ndihmën tuaj do të arrijë një fuqi të atillë, që zëri i saj ka për ta mbushur distancën mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një ngjarje e ngjashme po përjetohej edhe në Medinë. Hasan bin Thabiti, që megjithëse në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, vite më vonë, emocionin e asaj kohe do ta tregonte me këto fjali:

-Unë në ato kohë isha shtatë a tetë vjeç, por i kuptoja mjaft mirë ato që dëgjoja. Pashë një dijetar hebre të bërtiste në majë të njërës prej kalave të Jethribit:

-O popull medinas! O popull i Jethribit!

Të gjithë ishin habitur nga kjo sjellje. S’kishte më dyshim se kishte ndodhur ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, ose kishin të bënin me ndonjë rrezik. Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Ç’është gjithë ky telash? Çfarë të ka ndodhur?, – duke iu mbledhur rreth vetes. Ai i përgjigjej atyre që e kishin rrethuar:

-Mbrëmë në darkë lindi ylli i Ahmedit.

[1] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/263
[2] Ibnu Sej’jidi’n-Nas, ujun’ul eser, 1/88
[3] Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/127; 5/262; Ibni Hisham, Sire, 1/293
[4] Kastalani, Meuahib, 1/122
[5] Ebu Zehra, Hatemu’n Nebij’jin, 1/140

Edhe Para Profetësisë Ai Pati Jetuar si Profet

Edhe Para Profetesisë Ai Pati Jetuar si Profet

Periudhat e fëmijërisë, të rinisë e të pjekurisë së tij patën qenë në cilësinë e hyrjes dhe shkallëve drejt profetësisë në mënyrë të tillë që një shumicë njerëzish që e njihnin, i patën besuar dhe i qenë dorëzuar sapo pati shpallur se ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë.

Babai i tij Abdullahu, vdiq përpara se ai të lindte dhe nëna Emineja, vdiq kur ai ishte 6 vjeç. Rrjedhimisht ai u privua nga çfarëdolloj edukimi apo kujdesi, të cilit i nënshtroheshin fëmijët arabë të asaj kohe. Gjatë fëmijërisë së tij, ai mbeti krejtësisht analfabet dhe i pashkolluar.

Profeti doli jashtë Gadishullit Arab vetëm dy herë. Kur ishte i ri ai shoqëroi xhaxhain e tij Ebu Talibin në një mision tregtar në Sham (sot Izraeli, Palestina, Libani, Siria dhe Jordania). Hera e dytë ishte kur ai udhëhoqi një mision tregtar në të njëjtin rajon për llogari të vejushës Hatixhe, një tregtare e pasur mekase 15 vjet më e madhe në moshë. Ata u martuan kur ai ishte 25 vjeç dhe jetuan të lumtur së bashku gjersa ajo vdiq pas më shumë se 20 vjetësh.

Duke qenë analfabet, ai nuk i lexoi ndonjëherë tekstet fetare hebreje dhe kristiane dhe nuk pati asnjë marrëdhënie për t’u shënuar me ta. Traditat dhe idetë e mekasve ishin të orientuar drejt idhujtarisë dhe krejtësisht të pandikuara nga idetë fetare kristiane apo hebreje. Edhe hanifët mekas të cilët ishin njerëz që pasonin fenë e drejtë të Ibrahimit, por sipas një mënyre të papastër dhe të devijuar dhe të cilët nuk e pranonin idhujtarinë, nuk ishin të ndikuar aspak prej Judaizmit apo Krishtërimit.

Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u mor me tregti për disa vjet. Ata të cilët i lidhte puna me të, kishin besim të plotë në të dhe në vendimet që ai merrte. Të gjithë e thërrisnin El Emin (i besueshëm). Edhe armiqtë e tij i linin sendet e tyre të çmuara tek Ai me besim të plotë në mënyrë që t’ua ruante dhe Ai në mënyrë të përpiktë e përmbushi përherë detyrën, pra e justifikoi besimin e tyre. Ai ishte simboli i modestisë në një shoqëri e cila ishte jomodeste që nga koka e deri te këmbët. Edhe pse i lindur dhe i rritur mes njerëzve të cilët i konsideronin pijen dhe kumarin si virtyte, ai kurrë nuk piu alkool dhe nuk luajti bixhoz. Edhe pse i rrethuar nga njerëz të pashpirt, zemra e tij ishte e tejmbushur me nektarin e mirësisë njerëzore. Ai ndihmonte jetimët, gratë e veja dhe të varfrit, si dhe ishte mikpritës ndaj udhëtarëve. Ai nuk donte të shqetësonte njeri – ndaj u vu në vështirësi financiare për të ndihmuar të tjerët. Ai ishte në pararojë të punës për pajtimin e mosmarrëveshjeve duke kapërcyer ndarjet fisnore. Ai kurrë nuk iu përul asnjë krijese dhe nuk mori pjesë asnjëherë në ceremonitë e idhujtarisë, madje as edhe kur qe fëmijë, sepse ai urrente të gjitha llojet e adhurimeve ndaj çdo gjëje tjetër përveç Allahut. Shkurt, ai zotëronte një personalitet rrezatues i cili kishte zënë vend midis atij ambienti të errët e të ndotur dhe dukej si fanar ndriçues, i cili i jepte një dritë një nate të tillë të zezë apo si një diamant në mes të një grumbulli qymyri.

Ndriçimi i zemrës nga Drita Hyjnore

Shpallja e profecisë

Në vitin 610, kur profeti ishte 40 vjeç, një ndryshim i madh ndodhi në jetën e tij. Zemra e tij, e ndriçuar nga Drita Hyjnore, tani e kishte forcën e duhur për t’i shërbyer Atij për të Cilin ajo digjej. Gjatë njërit prej izolimeve të shumta të tij në shpellën Hira ku shkonte shpesh për meditim, gjatë muajit të Ramazanit, ai mori Shpalljen e parë nga Kryeengjëlli Xhebrail. Xhebraili i tha Muhamedit: “Lexo.” Muhamedi u përgjigj: “Nuk di të lexoj,” meqenëse ai nuk kishte marrë më parë asnjë lloj arsimimi dhe ishte analfabet. Xhebraili pastaj e përqafoi atë aq fort, saqë Profetit gati iu mor fryma dhe pasi e lëshoi, i tha: “Lexo.” Përgjigjja e Muhamedit ishte e njëjtë si më parë. Xhebraili e përsëriti përqafimin dhe për të tretën herë i kërkoj atij të përsëriste fjalët pas tij dhe tha:

“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alak, 96:1–5)

Atë ditë Muhamedit iu ngarkua misioni i Profetit të fundit, ndaj ai e la shpellën tek e cila izolohej periodikisht, shkoi tek populli i tij dhe i ftoi ata për në Islam.

Për 40 vjet me radhë, Muhamedi jetoi si një njeri i zakonshëm mes popullit të tij. Ai nuk ishte i njohur si një udhëheqës, predikues apo orator. Askush nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë të mësojë dhe të këshillojë njerëzit, apo të diskutonte në lidhje me parimet e metafizikës, etikës, ligjit, politikës, ekonomisë apo sociologjisë. Ai nuk kishte ndonjë reputacion si luftëtar, e as nuk ishte i njohur si gjeneral i madh. Ai nuk kishte thënë asgjë më parë në lidhje me Zotin, engjëjt, librat e shpallur, profetët e hershëm, popujt e zhdukur, Ditën e Gjykimit, jetën pas vdekjes, apo për Xhenetin dhe Xhehenemin. Pa dyshim që ai kishte një karakter të mrekullueshëm dhe sjellje të shkëlqyera si dhe ishte njeri me takt, por asgjë nuk të shtynte të mendoje se ai mund të ishte njeriu që do të mund të bënte diçka të madhe dhe revolucionare. Ata që e njihnin, e dinin për një njeri të qetë, të matur, serioz, të sjellshëm dhe besnik. Por kur doli nga shpella e Hirasë me një mesazh të ri, ai ishte krejtësisht i transformuar.

Shpeshherë është quajtur Kameri Munir – Hëna Ndriçuese.

Shpeshherë Pejgmaberi a.s. është quajtur Kameri Munir – Hëna Ndriçuese.

E “Aureolët” – Sahabët e Nderuar (radiallahu anhum exhmein) – ishin si drita e shkëlqimit përreth Pejgamberit s.a.v.s., ashtu siç është drita përreth hënës.

Kur nisi të predikonte, populli i tij e shikoi me respekt dhe u mahnit nga elokuenca e tij e mrekullueshme dhe aftësia e tij e të bërit për vete. Ai ishte kaq impresiv dhe zemër-rrëmbyes, saqë edhe armiqtë e tij më të mëdhenj kishin frikë ta dëgjonin, duke u trembur se mos vallë ai mund t’ua mbushte mendjen për të braktisur fenë dhe kulturën e tyre tradicionale. Ligjëratat e tij ishin aq të pakrahasueshme, saqë asnjë poet arab, predikues apo orator, sado i shkathët dhe me përvojë që të ishte, nuk mund të matej me të për gjuhën e mrekullueshme dhe të folurën e shkëlqyer kur ai i ftonte ata të ndesheshin në këtë fushë. Megjithëse bashkëpunuan me njëri-tjetrin, ata nuk arritën të bënin qoftë edhe një varg i cili të mund të krahasohej me ato që recitonte Muhamedi.

Edhe pse hasi në kundërshtime të menjëhershme dhe të ashpra, ai i përballoi kundërshtarët e tij me buzëqeshje dhe qëndroi i palëkundur ndaj kritikave dhe presioneve të tyre. Kur ata e kuptuan se kërcënimet e tyre nuk e frikësonin këtë njeri të shquar dhe se vështirësitë e mëdha që i shkaktuan atij dhe pasuesve të tij nuk patën efekt, tentuan të përdornin një taktikë tjetër, e cila gjithashtu ishte e destinuar të dështonte.

Një përfaqësi e krerëve të kurejshëve (fisit të tij), i ofroi atij një propozim me synimin për ta korruptuar:

“Nëse do pasuri, ne do të t’i grumbullojmë ty aq sa dëshiron; nëse kërkon nderim dhe pushtet, ne të premtojmë besnikëri si i pari ynë; nëse do bukuri, do të japim për grua vajzën më të bukur që ti do të zgjedhësh.”

Këto fjalë do të ishin tepër joshëse për çdo njeri të zakonshëm, por ata nuk kishin asnjë vlerë për Profetin. Përgjigjja e tij u ra si bombë përfaqësisë së kurejshëve të cilët mendonin se kishin hedhur në lojë kartën fituese:

“Unë nuk dua as pasuri, as pushtet. Allahu më ka ngarkuar mua t’u tërheq vëmendjen njerëzve. Unë përhap mesazhin e Tij ndër ju. Në qoftë se ju e pranoni atë, ju do të keni lumturi dhe gëzim në këtë jetë si dhe bekim të përjetshëm në botën tjetër. Nëse ju refuzoni, Allahu do të vendosë për ju dhe për mua.”

Në një rast tjetër, ai i tha xhaxhait të tij të cilit i ishte bërë presion nga krerët e fiseve për ta detyruar të hiqte dorë nga misioni i tij:

“O xhaxhai im. Edhe nëse do të më vendosin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në të majtën për të më shtyrë të heq dorë nga ky mision, unë nuk do ta bëja këtë. Unë nuk do të tërhiqem asnjëherë, ose Allahu do të bëjë që ky mision të triumfojë, ose unë do të vdes në këtë përpjekje.”

Besimi, qëndrueshmëria dhe vendosmëria me të cilën ai e çoi përpara misionin e ngarkuar drejt suksesit përfundimtar, është një dëshmues i qartë i besimit të tij maksimal në kauzën e vet. Nëse do të kishte edhe fijen më të vogël të dyshimit apo të pasigurisë në zemrën e tij, ai kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje të përballonte stuhinë e cila vazhdoi me tërë furinë e saj 23 vjet rresht.

Personat e parë të cilët pranuan ftesën e Profetit për në Islam qenë Hatixheja, Aliu, Zejd ibn Harith dhe Ebu Bekri. Ata u pasuan nga Osmani, Abdurrahman ibn Auf, Sa’d ibn Ebi Vakkas, Talhai dhe Zubejri. Këta muslimanë të parë e në veçanti Profeti, iu nënshtruan mundimeve të mëdha prej duarve të adhuruesve të idhujve. Në fakt, shumë muslimanë si p.sh. Jasiri dhe e shoqja Sumeje, u vranë pas torturave të padurueshme.

Qëndresa e këtyre muslimanëve të parë, ndikoi së tepërmi në përhapjen e Islamit. Është fakt që gjatë gjashtë viteve të para të profetësisë së tij, burra të fuqishëm si Hamzai dhe Omeri e përqafuan Islamin dhe e panë veten mes shokëve të Profetit. Sa më shumë rritej numri i atyre që besonin në Islam, aq shumë shtoheshin pengesat e paganëve të cilët mundoheshin të parandalonin përhapjen e kësaj feje të re. Në vitin e pestë dhe të gjashtë të profetësisë, disa muslimanë u detyruan nga rrethanat të merrnin leje nga Profeti për të emigruar në Abisini.

Në vitin e shtatë, jobesimtarët i izoluan muslimanët në një zonë të caktuar dhe shpallën bojkotin ndaj tyre. Atyre iu ndalua të bënin tregti, të udhëtonin dhe të kishin kontakte me njerëzit e tjerë. Kjo situatë zgjati për tre vjet me radhë. Në vitin e dhjetë të profetësisë, me vdekjet e njëpasnjëshme të Hatixhes dhe Ebu Talibit, persekutimi dhe vuajtjet që armiqësitë u shkaktonin muslimanëve u rrit edhe më tepër. Hatixheja dhe Ebu Talibi ishin njerëz të respektuar në shoqëri, ndaj ky respekt në njëfarë mase i kishte siguruar një shkallë të caktuar imuniteti Profetit.

Profeti vajti në Taif në përpjekje për të siguruar ndopak mbështetje nga jashtë. Por banorët e Taifit, jo vetëm që nuk e pranuan Islamin dhe refuzuan t’i jepnin mbështetje Profetit, por e gjuajtën me gurë dhe ai mezi arriti të shpëtonte duke u strehuar në një kopsht jashtë Taifit, i mbuluar me gjak. Në lutjen që i bëri Zotit pas gjithë këtyre torturave të tmerrshme, ai tha ndërmjet të tjerave se në qoftë se ishte duke e kryer mirë detyrën, këto tortura s’kishin rëndësi për të. Nuk ka dyshim që ai ka vepruar drejt dhe se e përmbushi misionin e tij plotësisht.

Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, përpjekjet e Profetit Muhamed për përhapjen e Islamit vazhduan. Ai i shtoi edhe më shumë këto përpjekje duke bërë propagandë nëpër udhëkryqe, nëpër të cilat mund të kalonin udhëtarët që vinin nga jashtë qytetit. Më në fund, një grup prej gjashtë personash që kishin ardhur nga Medine (Jethribi i atëhershëm) për pelegrinazh, dëshmuan vërtetësinë e mesazhit të tij dhe premtuan të plotësonin kushtet e Islamit. Vitin tjetër, pesë veta nga ky grup erdhën së bashku me shtatë njerëz të tjerë nga Medine dhe i dhanë besën Profetit në Akabe. Një besëlidhje e dytë u bë kur shtatëdhjetë e pesë persona, një vit më vonë erdhën nga Medine dhe u zotuan se do ta mbronin Profetin ashtu siç mbronin gratë dhe fëmijët e tyre. Në periudhën që pasoi, me lejen e Allahut dhe pastaj të Profetit, muslimanët të cilët po vuanin së tepërmi në Mekë, emigruan nga Meka për në Medine. Kjo ngjarje njihet si hixhreti në literaturën Islame dhe shënon fillimin e kalendarit Islam. Të fundit që emigruan qenë Profeti dhe Ebu Bekri. Ky qe një emigrim shumë i vështirë, me paganët mekas që i gjurmonin ata hap pas hapi, që nga shpella e Taurit në jug të Mekës e deri në afërsi të Medines. Profeti dhe Ebu Bekri patën një udhëtim me shumë peripeci, por në fund ia dolën të mbërrinin në Medine. Medinasit, ndryshe nga Mekasit e morën në gjirin e tyre Profetin. Ata u bashkuan të gjithë rreth tij dhe i përkrahën pa rezerva ata të cilët kishin lënë shtëpitë e tyre në Mekë për hir të Allahut. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar i quan medinasit Ensarë (ndihmues), në Kur’an. Është fakt që menjëherë pas emigrimit të profetit u vendos një raport vëllazëror ndërmjet Ensarëve dhe emigrantëve. Në këtë mënyrë akti i të ndihmuarit të njerëzve mori një dimension shpirtëror. Kjo mbështetje ndihmoi të kapërceheshin problemet psikologjike. Emigrantët gjetën mundësinë ta ndanin përvojën e tyre në Islam me medinasit. Ata gjithashtu hapën dyqane dhe tregje dhe për një kohë shumë të shkurtër arritën që të jenë në gjendje të mbanin vetveten. Në këtë mënyrë, emigrantët përfituan nga jeta ekonomike e qytetit.

Të gjitha këto zhvillime i frikësuan paganët në Mekë. Ata dëshironin t’i shkatërronin muslimanët përpara se këta të fundit të forcoheshin më tej. Si rezultat, u zhvilluan luftërat e Bedrit, Uhudit, Lufta e Hendekut dhe Murajsi. Në vitin 630 u mor Meka nga muslimanët. Profeti u rikthye triumfues në qytetin nga i cili qe përzënë më parë. Qëllimi i këtij rikthimi ishte pastrimi i Qabes dhe rrethinave të saj prej idhujve dhe kthimin e saj në gjendjen natyrale, siç kishte qenë kur u ndërtua së pari nga Ademi dhe pastaj kur u rindërtua nga Profeti Ibrahim. Profeti nuk u hakmor; ai nuk u mbajti mëri banorëve të Mekës. Përkundrazi, ai shpalli një amnisti të përgjithshme. Ai e shfaqi madhështinë e tij duke falur kur ishte i fuqishëm. Ai po planifikonte bashkimin, festën e madhe, ndaj nuk kishte kohë për të humbur në çështje ngatërresash fisnore. Prandaj, muezini i Profetit, Bilal el Habeshi, duke kënduar ezanin nga tarraca e Qabes, shpalli epërsinë dhe njësinë e Zotit të Vetëm në qiejt e Mekës.

Fisi kryelartë dhe arrogant i Havazinit, i cili nuk mund t’i kapërdinte kaq lehtë këto ngjarje, thuri plane për frenimin e përhapjes së Islamit, por këto plane rezultuan të pasuksesshme. Ata u mundën në luftë prej muslimanëve. Për rrjedhojë, emri i Islamit kumboi nëpër të gjithë rajonin, duke nisur nga Hixhazi e pastaj nëpër të gjithë Gadishullin Arabik. Brenda një viti që prej kohës kur Profeti u rikthye në Medinë, ai priti e përcolli përfaqësues nga qindra fise.

Në vitin 632 gjatë Haxhit, Profeti (a.s.) foli përpara një turme prej më shumë se njëqind mijë muslimanësh. I njohur si Haxhi i Lamtumirës, ky fjalim qe një përmbledhje e ideve Islame dhe përbën dokumentin më të përkryer në lidhje me parimet dhe të drejtat e njeriut. Profeti i dashur, i cili qe në gjendje të komunikonte mesazhin që i ishte besuar me shumë përpikmëri falë durimit, vendosmërisë dhe aftësive të tij, i mbylli sytë në këtë botë të Hënën më 8 Qershor 632.

* Nga: https://dritaislame.al/profeti-muhamed-a-s/

Pejgamberi a.s. pati ardhur mes njerëzve për tja mësuar njeriut vlerën e vet

Gjithashtu për t’u lexuar atyre ajetet e Allahut e për t’u shpalosur atyre pjesë-pjesë mrekullitë e Tij.