Eja, o më i miri i të mirëve, o i Dashur!

Sa herë që afron ditëlindja e bekuar e Profetit tonë të Dashur, ne përpiqemi t’i drejtohemi Atij me fjalët tona më të bukura që do të mund t’i shkonin Atij. E ajo që i përbashkon të gjitha qasjet tona dhe thirrjet ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), mund të jetë veçse dashuria dhe dëshira jonë për ta kujtuar dhe për ta pasur Atë të paktën shpirtërisht pranë nesh. Në këtë melodi që rreket të pushtojë zemrat e dashuruara pas profetit Muhamed (s.a.s.), me disa qasje të veçanta, na përvijon imtësisht se si meulidet tona, të cilat i bëjnë thirrje më të mirit të të mirëve, Muhamedit (s.a.s.), ashtu siç janë ndër shkaset më të arrira për t’u takuar të paktën shpirtërisht me përfaqësimin ideal të Profetit tonë, janë edhe mënyra më e mirë për t’u futur në një atmosferë bashkëpranie me të Dërguarin e Allahut (s.a.s).

Shpëtimtarin e Fundit po e priste njerëzimi

Shtatzënë me Shpëtimtarin e Fundit që po priste njerëzimi, Amina nuk i jetonte vështirësitë që jetonin kandidatet e tjera për nënë. Ajo po kalonte një shtatzëni të rrethuar nga të gjitha anët me flladin e ëmbël të mëshirës hyjnore. Mbi të gjitha si kurorë, kishte shumë sihariqe që i vinin të pëshpëritura në vesh. Ajo tregonte se një ditë dëgjoi:

-Padyshim, që ti je shtatzënë me Prijësin e njerëzimit. Kur ta sjellësh atë në jetë, thuaj se po e lë në mbrojtjen e Atij që është Një, dhe më pas vendosi emrin “Muhamed”.

Amina u prek shumë nga e gjithë kjo. Po, ajo do të sillte në jetë një fëmijë që do të ishte jetim. Por, çfarë do të thoshte se fëmija i saj do të ishte prijësi i mbarë njerëzimit. Mbi të gjitha ajo nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin “Muhamed”. Sepse emri “Muhamed” nuk ishte ndonjë emër i njohur në atë kohë dhe atë vend. Ai ishte një emër të cilin e kishin vetëm tre vetë në të gjithë Arabinë. Dhe etërit e të treve ishin njerëz që kishin jetuar pranë mbretërve, dhe ishin të gjithë ndjekës të librave hyjnorë. Dhe secili prej tyre kishte vdekur në periudhën kur gratë e tyre ishin me barrë, dhe pa ndërruar jetë i kishin këshilluar gratë e tyre, se nëse lindnin djem, t’ia vinin emrin Muhamed. Sepse e dinin, që emri i Profetit të fundit që do të vinte në kohën e fundit do të ishte i atillë. Ata e kishin parë që ylli i Tij ishte në prag të lindjes.

Amaneti që ajo mbartte në bark bëhej temë qendrore e ëndrrave të saj, andaj edhe nuk e ndiente shumë rëndesën e shtatzënisë që t’i lirohej sa vjen e më tepër. Një natë, Amina, do të shihte në ëndërr sikur prej trupit të saj dilte një nur, dhe me këtë nur do të dëshmonte se si ndriçoheshin sarajet e Basrës dhe të Sirisë.

Data ishte 20 prill 571. Kishin kaluar vetëm pesëdhjetë ditë nga ndodhia e elefantit. Ndërsa kalendari hënor shënonte ditën e dymbëdhjetët të muajit Rebiuleuel. Ishte e hënë. Në këtë çast kur drita kishte kapluar gjithë rruzullin, po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë.

Ndërkaq, Mbreti i fundit, Muhamedi (s.a.s), sihariqi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Në botë erdhi jetimi i Aminës, megjithëse nuk i ngjante asnjë fëmije tjetër. Buzët i lëviznin dhe diç thoshte. Kur tregoi pak kujdes ndaj kësaj dukurie, ajo dëgjoi: “Allahu të mëshiroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht; Lindja dhe Perëndimi ishin kapluar nga drita, dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë.

Menjëherë u lajmërua gjysh Abdulmutalibi, i cili në atë kohë ishte duke adhuruar Allahun në Qabe. Me ta marrë vesh, ai hyri menjëherë në shtëpi i mbështjellë nga emocione të papërshkrueshme. Në çastin që e mori në krahë Dritën që po priste njerëzimi, mjekra po i lagej nga lotët e gëzimit. Jetimi i Abdullahut, djalit, të cilin e donte më së tepërmi, kishte lindur shëndoshë e mirë, dhe me atë vështrimin e tij zhbirues zuri ta kundronte me kujdes. Shenja që dukej mes kockave të shpatullave tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Sepse, sipas përshkrimeve të dijetarëve të fesë, ajo ishte “vula e profetësisë”.

Kur i erdhi radha vendosjes së emrit, Amina e nderuar, i tregoi Abdulmutalibit gjithçka që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë, dhe kësisoj Atë e quajtën Muhamed. Më pas, Abdulmutalibi e shpuri Atë në krahë për në Qabe, që të falënderonte Allahun. Qabeja po takohej për herë të parë me binjakun e saj. Kur e pyetën Abdulmutalibin se përse i dha pikërish këtë emër nipit të tij, ai do t’i përgjigjej me këto fjalë:

-Në ëndërr pashë një si zinxhir të argjendtë; në mes kishte një shtyllë të nxjerrë, një pjesë për nëpër qiell, dhe tjetra e futur thellë në tokë, njëra tregonte drejtim kah perëndimi e tjetra nga lindja. Më vonë, kjo sikur u mblodh duke u bërë e vogël sa një grusht. Të gjithë, nga Lindja në Perëndim, sikur ishin drejtuar kah kjo pemë për t’u kapur pas saj.

Lajme që vijnë nga të katër anët

Pa kaluar shumë kohë, filluan të vinin lajme nga të katër anët. S’ka dyshim që gjithësia po tregonte se ishte e interesuar në ardhjen e Tij, dhe me rrezatime të ndryshme, po e tërhiqte vëmendjen e gjithkujt kah kjo lindje.

Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe se si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të këtillë.

Zaten kishte kohë, që në qiell po përjetohej një gëzim dhenjerëzit dëshmonin pareshtur rënien e yjeve. Të gjitha këto quheshin si myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit, andaj dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Në mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një dijetar që i pyeste:

-O popull i Kurejshit! Mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?

Askush nuk kishte ende ndonjë lajm të tillë, andaj:

-Vallahi që nuk dimë gjë, – thanë ata.

Njeriu që pyeste fillimisht lëshoi tekbir, për t’i këshilluar më pas:

-Keni bërë një gabim; shkoni shihni dhe mos i harroni ato që do t’ju them: Mbrëmë, lindi Ahmedi, profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, sepse nëse nuk ka lindur këtu, atëherë ka lindur në Palestinë. Në mes të dy kockave të shpatullave, mbuluar nga qime të verdheme dhe të zezë, ai mbart një shenjë që është vula e profetësisë.

Mekasit ishin shushatur nga fjalët e këtij njeriu të ditur. Ashtu të habitur zunë të shihnin njëri-tjetrin, por prapëseprapë e dinin që nuk kishin dëgjuar gjë për një lindje të këtillë. Populli u nda si gjithmonë, dhe sakaq të gjithë u shpërndanë për në familjet e tyre. Pa kaluar shumë kohë, të gjithë po merrnin lajmin se mbrëmë, në shtëpinë e Abdulmutalibit kishte lindur një djalë, të cilit ia kishin vendosur emrin Muhamed. Ajo që ishte më e veçanta, ishte se ashtu siç kishte lajmëruar dijetari, në mes të shpatullave ai kishte një shenjë në trajtën e vulës.

Ata zunë të shkonin pranë dijetarit që i pati lajmëruar i pari, duke i thënë:

-Na the se në mesin tonë ka ardhur në jetë një fëmijë…

Pa mbaruar fjalinë, dijetari i pyeti i shqetësuar:

-A ka lindur përpara se t’ju thosha unë, apo më pas?

-Më parë.

Dijetari u emocionua jashtëzakonisht shumë dhe i kërkoi atyre që ta shpinin menjëherë atje ku ishte foshnja i sapolindur. Mirëpo, kur erdhi pranë Aminës, me të parë shenjën në mes të krahëve, atij i ra të fikët menjëherë. Kur erdhi në vete, tha:

-Turp t’ju vijë!

Kur e pyetën se ç’po i ndodhte, ai iu përgjigj:

-Tashmë, nderi i profetësisë nuk është më i hebrenjve. Kështu është e shkruar. Tashmë begatia profetike u takon arabëve. Gëzohuni, o njerëz të Kurejshit! Sepse ai, bashkë me ndihmën tuaj do të arrijë një fuqi të atillë, që zëri i saj ka për ta mbushur distancën mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një ngjarje e ngjashme po përjetohej edhe në Medinë. Hasan bin Thabiti, që megjithëse në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, vite më vonë, emocionin e asaj kohe do ta tregonte me këto fjali:

-Unë në ato kohë isha shtatë a tetë vjeç, por i kuptoja mjaft mirë ato që dëgjoja. Pashë një dijetar hebre të bërtiste në majë të njërës prej kalave të Jethribit:

-O popull medinas! O popull i Jethribit!

Të gjithë ishin habitur nga kjo sjellje. S’kishte më dyshim se kishte ndodhur ndonjë ngjarje shumë e rëndësishme, ose kishin të bënin me ndonjë rrezik. Pa kaluar shumë kohë, ata e pyetën:

-Ç’është gjithë ky telash? Çfarë të ka ndodhur?, – duke iu mbledhur rreth vetes. Ai i përgjigjej atyre që e kishin rrethuar:

-Mbrëmë në darkë lindi ylli i Ahmedit.

Lindja e Bekuar nën dritën e të qenit një rilindje e njerëzimit

Lindja e Profetit Muhamed, Krenarisë së Njerëzimit, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, mund të shihet nën dritën e të qenit një rilindje e njerëzimit. Deri në ditën kur Profeti e nderoi këtë botë me ardhjen e tij, nuk ishte e mundur të dallohej e mira nga e keqja, dita nga nata apo trëndafili nga gjembi. Dukej sikur bota ishte shtëpia e një mëngjesi universal dhe kozmosi ishte zhytur në kaos. Falë dritës që ai përhapi në ekzistencë, errësira u pasua nga drita, nata u mbulua nga dita dhe universi u shndërrua në një libër i cili ishte tashmë i lexueshëm, fjalë për fjalë, frazë për frazë, paragraf për paragraf …. i gjithë universi përjetoi në njëfarë kuptimi një ringjallje dhe rifitoi tashmë vlerën e vërtetë të tij.

Nderimi që ai i bëri botës me ardhjen e tij, është një fenomen universal dhe përbën ngjarjen më të rëndësishme si për tokën ashtu edhe për qiejt. Deri në ditën kur ai rivendosi një ligj qiellor, interpretoi domethënien e të fshehtave që përdoren prapa vellos së ekzistencës dhe parashtroi komente të reja të lidhjes me universin, ekzistenca në tërësinë e saj nuk kishte kuptim, ishte e ndarë nga pjesa shpirtërore, e fragmentizuar me të gjitha pjesët e saj të huaja për njëra-tjetrën. Objektet jo të gjalla nuk përbënin asgjë më shumë sesa figura të pajeta pjesëmarrëse në një paradë të pakuptimtë, ndërsa gjallesat përplaseshin me ingranazhet e “seleksionit natyror” duke ngelur kështu çdo ditë me nga një rrjetë të ndryshme vdekjesh. I ngecur në vetmi të thellë, çdo individ ishte një jetim dhe një viktimë e mjeruar nga ankesat rreth një serie gjërash që i mungonin. Periudha e errësirës u thye menjëherë nga drita e emërtuar nga ai, djajtë u mposhtën dhe çoroditjet u zhdukën. Natyra e krijimit u kthye në gjendjen e saj fillestare; shkatërrimi u shndërrua në rindërtim dhe gjumi u shkund në mënyrë që njerëzit të bëheshin gati për riparimet që duheshin bërë. Fjalët tona të fundit dhe ikja nga kjo botë u kthyen në parada; çdo lindje u shndërrua në festë dhe çdo vdekje në bashkim.

Që nga dita kur ngrohtësia e tij filloi të na përkëdhelte, pesha e “zhdukjes së përjetshme”, është hequr, sihariqet e reja të bashkimit kanë mbërritur nga vendet e dashura tek zemrat që rrahin me hidhërimin e ndarjes. Falë jetës që ai frymëzoi shpirtrat tanë, ne kemi arritur të ndërgjegjësohemi në lidhje me realitetin tonë, tashmë jemi në kontakt me natyrën. Ne kemi arritur të shfrytëzojmë xeherorin e fshehur në thelbin tonë dhe kemi arritur të ndjejmë dimensionin e pafundësisë të ngulitur brenda tij. Pa atë njeri, ne nuk do të kishim qenë në gjendje të zbulonim thellësinë tonë të brendshme e as të perceptojmë kaq gëzueshëm rrugën dhe destinacionin që kalon nëpërmjet varrit drejt pafundësisë ashtu siç bëjmë tani. Ai është njeriu që derdhi dashuri dhe entuziazëm në zemrat tona duke iu dhënë shkëlqim syve tanë dhe i cili na përgatit për udhëtimin tonë drejt vendit të përjetësisë.

Përpara se ne të nisemi në këtë udhëtim misterioz, ai është kapiteni dhe ciceroni ynë në këtë breg ku ne presim, një udhëheqës dhe ndërmjetësues për destinacionin tonë përfundimtar. Ne kemi përgjegjësi ndaj tij dhe nuk mund të qëndrojmë indiferentë në lidhje me të; e megjithatë, për shekuj me radhë jo vetëm që nuk kemi qenë indiferentë, por i kemi tejkaluar kufijtë e respektit për të dhe për mesazhin që ai solli.

E vërteta është se ne jemi përpjekur të vendosim lidhjet tona me të në kohë, me anë të ceremonive të mevludit; sheqerkat dhe uji i trëndafilit u jepen miqve në këtë ditë dhe shpesh ne e përkujtojmë Profetin me këngë e himne. Megjithatë, këto ceremoni nuk kanë qenë në raportin e duhur me madhështinë e tij; ato nuk i afrohen asgjëkundi, madje as nderimit që i bënin shërbëtorët e tij. A mund ta konsiderojmë vallë Ditëlindjen e Bekuar nga një këndvështrim më i gjerë, më sinqerisht dhe më solemnisht për hir të mesazhit të tij të ndritur?

Askush nuk dëshiron që të kënaqë dëshirat e veta me ato festime, e as ta transformojë Islamin e shenjtë në një karnaval të gëzueshëm, madje askush nuk ka fuqi ta bëjë një gjë të tillë. Ndaj, përse nuk u dashka që bota Islame ta përkujtojë ditëlindjen e tij që në të njëjtën kohë është edhe ditëlindja e kësaj bote si dhe dita e shpëtimit të njerëzimit?

Qytetërimi modern nuk do të kishte ekzistuar pa qytetërimin Islam dhe qytetërimi Islam nuk do të kishte dalë në skenë po të mos kishte qenë Profeti dhe mesazhi i tij.

Nëse nuk do të kishte ekzistuar Islami, i cili u shfaq me gjithë butësinë, tolerancën, ngjyrimet e ngrohta që e karakterizojnë, i cili është i hapur ndaj të mësuarit dhe e çmon shumë dijen, nëse dijetarët muslimanë nuk do ta kishin përçuar kulturën greko-latine në Evropë, atëherë Perëndimi me siguri do të kishte mbetur në errësirën e mesjetës. Është e padiskutueshme që matematika, fizika, kimia, astronomia, gjeometria dhe mjekësia, që të gjitha i kanë themelet e tyre në Lindje dhe kanë natyrë komplekse si pasojë e tolerancës së Islamit. Qytetërimit perëndimor iu desh të priste gjashtë shekuj pas Jezusit për t’u bërë ai që është sot… ata pritën dhe e takuan Islamin nga i cili ata u ndikuan së tepërmi ndaj Perëndimi e skicoi të ardhmen e tij nën këtë dritë. Megjithëse Perëndimi nuk i pranoi bazat e mendimit Islam, këto baza patën një ndikim të madh në ndërtimin e mendimeve dhe ideve moderne perëndimore..

Gjithçka ka kjo botë është e dhuruar falë tij,
Çdo popull dhe çdo njeri i është borxhli atij,
Gjithë njerëzimi i është borxhli atij të pafajshmi,
O Zot, na ringjall ne duke thënë këtë dëshmi.

Mehmet Akif

Për shekuj me radhë ne nuk e kemi respektuar Profetin aq sa e meriton dhe nuk mund t’ia festojmë siç duhet një ditëlindje, një javë apo një muaj të dedikuar vetëm kësaj lindjeje të bekuar. Kjo nuk do të jetë e mjaftueshme edhe sikur ta bëjmë për vite me radhë, megjithatë, “një mbret sillet ashtu siç i takon një mbreti dhe një shërbyes kryen punën e tij prej shërbëtori.” Prandaj, ne duhet të bëjmë çfarë të mundemi në këtë drejtim, çfarëdo që është brenda mundësive tona duke thënë: “më mirë kaq se asgjë.”