Pejgamberi a.s. është një model madhështor dërguar si mëshirë për botët. Ai është më i miri dhe më i dashuri i gjithësisë.
Zoti ynë duke iu drejtuar Atij urdhëron:
“Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”.
Kuran, Surja Ali Imran, 31
Mesazhi i ajetit është shumë i qartë: ka vetëm një mënyrë për të vërtetuar dashurinë tonë për Allahun dhe për ta bërë veten tonë ta duam Allahun. Këto arrihen duke akorduar jetët tona me jetën model të Rasulullahut a.s.
Mënyra e jetesës të të Dërguarit të Allahut (a.s.) quhet Sunet. Jetësimi i ajetit të mësipërm do të realizohej kur do të sinkronizonim Sunetin e Rasulullahut a.s. në jetën tonë, pra të besojmë sikur kishte besuar Ai, të kryejmë adhurimet sikur Ai, si dhe të kemi takvanë, sinqeritetin, moralin, predikimin, xhihadin dhe të gjitha sjelljet që mbulojnë të gjitha minutat e jetës së Tij në jetën tonë.
Ejani të zbatojmë një projekt familjar. Të kalojmë një ditë bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Familjarëve t’i themi se kemi një mysafir shumë të madh në shtëpinë tonë.
Po, i Dërguari i Allahut (a.s.) është mysafiri ynë. Të pyesim veten, nëse Ai do të na nderonte, nëse Ai do të kishte ardhur në shtëpinë tonë, si do të jetonim, si do të vepronim? Le të bëjmë sikur jemi bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s), le të vendosim edhe një karrige tjetër në tryezën tonë të darkës, të shtojmë një pjatë, sikur të ishte me ne.
Le të lexojmë salavate për Profetin tonë (a.s) që të ndjejmë se jemi bashkë. Le të lexojmë dhe dëgjojmë poezitë dhe ilahitë të shkruara për Profetin tonë a.s.
Le t’i sjellim salavate të Dërguarit të Allahut (a.s.) sa herë të mundemi, duke gatuar, duke punuar, duke shkuar, duke ardhur, duke udhëtuar, duke studiuar, me çfarëdo që jemi të zënë, le të lëshojmë audio e video me salavate në telefonat dhe kompjuterët tanë.
Ka ilahi shumë emocionale të kompozuara për të Dërguarin e Allahut. “Unë u dashurova me Muhamedin a.s. nga zemra”, “Ishe Ti atë natë që erdhe”, “Të kujtova mbrëmë” dhe “Nuk munda të arrij në Medine. Nuk mund të nuhasja një trëndafil”.
Përse themi “sikur të jemi me të Dërguarin e Allahut (a.s.)”?
Sepse Zoti ynë thotë:
E, dijeni se në mesin tuaj e keni të dërguarin e All-llahut.
Kuran, Surja Huxhurat, 7
Gjithashtu,
“Si bën të mos besoni, kur juve janë duke iu lexuar (duke iu shpallur) ajetet e All-llahut dhe kur në mesin tuaj gjendet i dërguari i Tij?”
Kuran, Surja Ali Imran, 101
Tre mënyra për tu shoqëruar me të Dërguarin e Allahut a.s. janë:
- Ajo e përjetuar nga jobesimtarët e asaj kohe. Ata e shihnin, e dinin, por ishin larg Tij.
- Shoqërimi i sahabëve me të. Ata ishin bashkë fizikisht dhe shpirtërisht. Ata po përpiqeshin të jetonin ashtu siç shihnin nga Ai.
- Ajo çka ne jetojmë sot. Nuk jemi bashkë fizikisht, por Ai është me ne shpirtërisht. Kurani dhe hadithet janë të gjallë dhe jeta e Tij është e qartë.
Edhe nëse nuk jemi bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.) fizikisht, mund të jemi bashkë shpirtërisht. Për ta arritur këtë, është e nevojshme që të përvetësohet sjellja e Tij, të synohet Sunneti si mënyrë jetese dhe të rritet dashuria ndaj Tij.
“Njeriu është me atë që do.”
Hadith. Buhariu, Edeb, 96
E pastaj befasisht Ai mund të na nderojë ëndrrat tona një mëngjes, ndoshta edhe mund ta shohim sikur të jemi të zgjuar, e Ai mund të na thotë: “Më përmendët… këtu jam”. Pastaj le të themi “Mirë se erdhe o i Dërguar i Allahut, në fronin e zemrave tona”.
Nata e 12-të e muajit Rabiul-Evvel, është nata e lindjes së Profetit tonë të dashur salAllahu alejhi ue selem, i cili nderoi gjithësinë 14 shekuj më parë. Këtë vit do të fillojë në mbrëmjen e së premtes, 7 tetor 2022 dhe përfundon në mbrëmjen e së shtunës, 8 tetor.
Përshtatur nga: https://www.tr724.com/peygamber-efendimizle-sav-bir-gun/